Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Qyteti > Historia e Qytetit

Historia e Qytetit

​Kjo trevë ka qënë vendbanimi i hershëm ilir i fisit  Desarët. Nga gërmimet e bëra në periferi të qytetit të Kuçovës (në komunën Perondi ku ndodhet sot Kisha e vjetër e Shën Nikollës) del se kjo trevë ka qënë një vendbanim i lashtë me një kulturë të zhvilluar, gjë që vërtetohet nga mënyra e ndërtimit të shtëpive dhe e shëtitores për banorët e saj. Kjo shëtitore ka përmasat e një bulevardi të vërtetë (10m gjerësi dhe 50m gjatësi) të shtruar me kalldrëm e me gurë të gdhendur bukur. Po kështu në kodrën e Omurit në verilindje të qytetit,janë gjetur punime mbrojtëse ilire e mbi të gjitha një pishtar (i ekspozuar në muzeun e Beratit), i cili shërbente për të sinjalizuar rrezikun armik nga njëra kala në tjetrën si dhe në të gjithë zonën. Nga gërmimet e bëra në vitet '40 –'50 të shekullit të kaluar u nxorrën në sipërfaqe amfora, shpata e mburoja të kohës ilire.

Në kohët e Mesjetës është shfrytëzuar për interesa jetike  të banorëve vendas edhe nafta e dalë në sipërfaqe me vetrrjedhje. Në fund të viteve 1700 – fillimi i viteve 1800, banorë kuçovarë si fiset e vjetra të Brisqeve apo të Skurove e më vonë të Kurtëve, kanë shitur naftë bruto për myzeqarët, të cilët e përdornin për bucelat e rrotave të qerreve si vaj grasatues e më pas për djegie.

Në vitet e Luftës së Parë Botërore, në periferi të Kuçovës (aty ku sot janë varrezat e qytetit) u vendos një repart ushtarak austriak. Në vitin 1916, një inxhinier gjeolog, pjesëtar i këtij efektivi vuri re se uji i përroit që rridhte nga kodra e Omurit vinte me naftë. Pasi e shëtiti më këmbë vendin ai arriti në përfundimin se Kuçova ishte një vend me pasuri të mëdha nafte. Këtë fakt ai e bëri publik në vitin 1918. Që nga viti 1918 e deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë Shoqëri kërkuese nafte si AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), një Shoqëri Anglo-Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe Shoqëri Franceze etj.

Në vitin 1928 në vendin që sot quhet "Dikatër" u shpua e dha naftë pusi  i parë në Shqipëri. Që nga ky moment Kuçova u hodh në hartat gjeologjike  të botës si vendburim nafte dhe më vonë edhe në hartat politike dhe ushtarake. Që nga viti 1928 e deri në vitin 1943, vendburimi i Kuçovës u shfrytëzua nga Shoqëria Italiane AIPA. Kjo Shoqëri bëri marrëveshje me Qeverinë e Mbretit Zog I, që nëse prodhimi i naftës në vit do t'i kalonte 50 000 tonët, kjo Shoqëri do të ngrinte në Kuçovë një rafineri. Por ndonëse prodhimi i kaloi 170 000 tonët, rafineria nuk u ngrit, përkundrazi nafta e nxjerrë nisej për t'u përpunuar në Itali. Në historinë e Shqipërisë, Kuçova përmendet edhe si qyteti ku është organizuar greva e parë e punëtorëve në vitin 1936.

Zhvillimin më të madh Kuçova e ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet 1975 – 1990. Popullsia në fund të viteve 1980 arriti 32 000 nga 6 400 banorë që ishte në vitin 1938. Në vitin 1944, për stabilizimin e gjendjes shumë të rënduar në Kuçovë si pasojë e djegieve dhe shkatërrimeve të bëra nga pushtuesi, Qeveria e Përkohshme e Beratit urdhëroi ngritjen e një Komisariati të Jashtëzakonshëm për naftën. Ky komisariat do të kishte atributet e një drejtorie të përgjithshme, e cila do të vinte në punë të tërë sistemin e shfrytëzimit të vendburimeve.

Në vitin 1951, me vendim të veçantë të Qeverisë  Shqiptare, në Kuçovë u krijuan 11 ndërmarrje ekonomike, ndërsa në vitin 1970 renditej midis qëndrave më të zhvilluara në shkallë vendi. Në këtë periudhë në Kuçovë shtrinë  veprimtarinë e tyre 15 ndërmarrje ku më të rëndësishmet ishin Uzina e Përpunimit të Naftës, U.M.N Shpim Shfrytëzimi, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TECI, Transporti, Ndërtim Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Fabrika e Pluhurave Larës, Fabrika e Tullave, Shkolla e Mesme e Naftës etj.

Edhe pse Kuçova ka patur një zhvillim industrial shumë të vrullshëm, deri në vitin 1991 ka qënë e përfshirë në Rrethin e Beratit. Nga ai vit funksionon si rreth më vete, brenda Qarkut të Beratit.

Banorët e Kuçovës flasin dialektin tosk, pa ndryshime të  dukshme me të folurën letrare shqipe, veshja është ajo e tipit të Myzeqesë. Traditat kulturore të komunitetit tonë janë të tilla që lejon komunikimin e shpejtë, ka aftësinë për t'u besuar partnerëve, për të përqafuar idetë e reja në përshtatje me sistemin e ekonomisë së tregut, është artdashës e shquhet për një mikpritje karakteristike.

Eventet

<qershor 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
2930311234
567891011
12131415161718
19202122232425
262728293012
3456789

Se shpejti

Postimet me te fundit


Buletini Informativ