Accesso




Skip Navigation Links > Kreu > Sherbimet > Bizneset > Si te fillosh nje biznes

Si te fillosh nje biznes

SI TË REGJISTROSH NJË BIZNES NË QENDRËN KOMBËTARE TË REGJISTRIMIT (QKR)

Aplikimi për regjistrimin fillestar mund të bëhet në sportelet e QKR-së në Tiranë ose në sportelet e shërbimit, i vendosur përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave Berat. Lista e bashkive dhe e vendndodhjeve të tyre është e publikuar në faqen zyrtare të internetit të QKR-së​​.

Një aplikim mund të bëhet në një sportel shërbimi të QKR-së, pavarësisht nga selia apo vendi i ushtrimit të veprimtarisë së subjektit që kërkon regjistrimin.

Për regjistrimin fillestar të një biznesi të ri duhen:

I. Formulari i aplikimit

Për të filluar një regjistrim, një aplikanti i duhet të plotësojë formularin e aplikimit. Përpara se të plotësohet formulari i aplikimit, aplikanti duhet të dijë informacionin e mëposhtëm:

1.       Formulari i aplikimit është specifik për lloje të ndryshme entitetesh që aplikojnë (persona fizikë që bëjnë biznes apo kompani). Prandaj, aplikanti duhet të sigurohet që ai/ajo e di, nëse aplikimi do të jetë për një person fizik, i cili do regjistrohet për të kryer biznes apo për një kompani si dhe llojin e kompanisë. Informacion mbi kërkesat ligjore të shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, shoqërive anonime dhe shoqërive të tjera, gjendet në ligjin Nr 9901 date 14.04.2008 "Per tregtaret dhe shoqëritë tregtare". Ky ligj mund të shkarkohet nga faqja zyrtare e internetit të QKR-së në këtë adresë.

2.       Formularët e aplikimit mund të merren në dy mënyra: a) pranë çdo sporteli të QKR-së; ose b) mund të shkarkohen nga faqja zyrtare e internetit të QKR-së www.qkr.gov.al sipas formës së biznesit:

  Person Fizik

  Shoqëri Kolektive/ Komandite/ Përgjegjësi të Kufizuara dhe të Thjeshta

  Shoqëri Anonime

  Shoqëri Kursim Krediti

  Degë ose Zyra Përfaqësimi

  Shoqëri të Bashkëpunimit Reciprok

  Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor

3. Të gjithë formularët e aplikimit janë të pajisur me instruksione për plotësimin e tyre. Këto instruksione mund të gjenden në çdo sportel të QKR-së ose mund të shkarkohen nga faqja zyrtare e internetit të QKR-së.

4.  Aplikuesi mund të plotësojë formularin e aplikimit ose a) duke e shkarkuar, plotësuar atë elektronikisht dhe duke e stampuar (printuar); ose b) në çdo sportel shërbimi të QKR-së me ndihmën e nëpunësit të sportelit; ose c) nëpërmjet internetit duke përdorur funksionin e QKR-së "Aplikoni On-Line".

5. Çdo nëpunës sporteli është i gatshëm të ndihmojë aplikantin të plotësojë të gjitha rubrikat e detyrueshme të formularit të aplikimit.

II. Dorëzimi i aplikimit për regjistrim në QKR

  1. Pasi formulari i aplikimit plotësohet, aplikanti (ose përfaqësuesi i autorizuar për regjistrim) paraqet formularin e aplikimit personalisht, në çdo sportel shërbimi të QKR-së, së bashku me dokumente të tjera shoqëruese, të duhura.
  2. Aplikanti ose personi i autorizuar, identifikohet tek sporteli i QKR-së nëpërmjet një dokumenti origjinal identifikimi, si dhe (për përfaqësuesin e autorizuar) nëpërmjet një autorizimi të noterizuar, për përfaqësimin e aplikantit për qëllim regjistrimi.
  3. Nëpunësi i sportelit verifikon që aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë të plota dhe të pranueshme nga QKR. Nëse aplikimi është i paplotë ose i pasaktë, nëpunësi i sportelit do të ndihmojë në plotësimin e formularit së bashku me aplikantin dhe do të stampojë (printojë) formularin e plotësuar.

Pasi janë kryer të gjithë hapat e sipërpërmendur në pikën II 4, nëpunësi i sportelit të QKR-së i jep aplikantit një konfirmim për aplikimin e bërë, i cili lëshohet nga sistemi elektronik i QKR-së dhe ka një numër unik dosje. Ky konfirmim nënshkruhet nga të dy, aplikanti dhe nëpunësi i sportelit. Aplikanti mund të përdorë këtë numër unik dosje, për të ndjekur statusin e procesit të regjistrimit në çdo kohë nëpërmjet kësaj faqeje zyrtare të internetit të QKR-së, duke klikuar te Kontrollo Statusin e Aplikimit.

III. Lista e dokumenteve shoqëruese

​​Përveç formularit të aplikimit të plotësuar, aplikuesi duhet të paraqesë dhe dokumentacionin shoqërues përkatës si më poshtë:

  1. Dokument origjinal identifikimi (pasaportë biometrike, letërnjoftim elektronik) të cilin nëpunësi i sportelit do ta verifikojë, kopjojë dhe skanojë, dhe në përfundim do t'ia kthejë aplikantit (përfaqësuesit). Aplikanti nuk duhet te largohet nga sporteli i sherbimit pa marre me vehte dokumentin e tij të identifikimit.
  2. Dokumente të tjera shoqëruese. Lista e dokumenteve të kërkuara për regjistrimin fillestar është specifike për forma të ndryshme ligjore biznesesh. Pasi është identifikuar lloji i biznesit që do të regjistrohet, aplikanti mund të gjejë listën e dokumenteve shoqëruese, të bashkëngjitur në formën specifike të aplikimit për regjistrim, e cila mund të merret ose në sportelet e QKR-së ose në faqen zyrtare të internetit të QKR-së, tek direktoria: Si të Regjistroni një Biznes: Instruksione dhe Formularë.

 

IV. Pagesa​ 

Personi që aplikon e kryen pagesën tek sporteli i shërbimit ku ai aplikon. Tarifat janë të publikuara në faqen zyrtare të internetit të QKR-së.

Pagesa kryhet në sportelin e QKR-së, në momentin që kjo kërkohet nga nëpunësi i sportelit dhe pasi është caktuar një numër unik nga sistemi elektronik për dosjen. Pagesa bëhet përpara firmosjes përfundimtare të formularit të aplikimit nga nëpunësi dhe aplikuesi.

  • Çfarë ndodh mbasi aplikanti largohet nga sporteli?

Në fund të ditës pasardhëse nga dita e aplikimit në QKR, aplikimi për regjistrim ose do të jetë pranuar, ose do të jetë refuzuar ose pezulluar, nëse QKR gjen se informacioni i dhënë është i paplotë ose jo në përputhje me kërkesat ligjore.

a)      Në rast pranimi të regjistrimit.

Pas lëshimit të konfirmimit për aplikim, aplikimi dhe dokumentet shoqëruese shqyrtohen për vendimmarrje nga nëpunësi i autorizuar i QKR-së (regjistruesi). Nëse pas verifikimeve, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) konstaton se aplikimi është në përputhje me kërkesat e ligjit, brenda afatit maksimal prej 1 (një) dite nga paraqitja e aplikimit ai miraton:

  1. kryerjen e regjistrimit;
  2. lëshimin e Numrit Unik të Identifikimit (NUIS), gjithashtu i njohur si NIPT;
  3. vërtetimin e kryerjes së regjistrimit dhe lëshimin e çertifikatave të regjistrimit (në rast kur biznesi regjistrohet). Këto çertifikata (një për çdo vend ku biznesi kryen aktivitet) mund të merren nga aplikanti (ose person i autorizuar) në çdo sportel shërbimi të QKR-së;
  4. kryerjen e publikimit elektronik të regjistrimit në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit të QKR-së, e cila mund të shihet në faqen zyrtare të internetit të QKR-së (kliko këtu për të parë direktorinë) ditën pas miratimit të regjistrimit.

Plotësimi i regjistrimit dhe lëshimi i çertifikatës së regjistrimit, janë evidenca e aplikantit për regjistrimin e biznesit, për regjistrimin fiskal të biznesit (tatim taksa), për regjistrimin në sigurimet shoqërore, për regjistrimin në sigurimet shëndetësore si dhe regjistrimin me autoritetet e Inspektoriatit të Punës.

b)      Në rast pezullimi të regjistrimit.

1)      Nëse pas verifikimeve të formularit të aplikimit dhe të dokumenteve shoqëruese, nëpunësi i autorizuar i QKR-së (regjistruesi) konstaton se aplikimi nuk është në përputhje me kërkesat e ligjit, ai pezullon regjistrimin brenda afatit maksimal prej 1 (një) dite nga paraqitja e aplikimit.

2)      QKR e njofton aplikantin për arsyet e pezullimit brenda një dite nga marrja e aplikimit për regjistrim, nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga sistemi i informatizuar në çdo sportel shërbimi të QKR-së. Aplikanti ka një afat 15 -ditor për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin.

Aplikanti mund të kontrollojë statusin e aplikimit online duke përdorur numrin unik të dosjes që ai ka marrë, pasi ka dorëzuar formularin e aplikimit. Arsyet e pezullimit nuk publikohen në faqen e internetit të QKR-së, por mund të komunikohen elektronikisht me email për aplikantët, të cilët kanë përdorur funksionin "Apliko On-Line" ose të cilët, kanë dhënë një adresë emaili në formën e aplikimit. Përndryshe, aplikanti duhet të paraqitet në sportel për marrjen e dokumentit të sipërpërmendur, i cili jep arsyet për pezullimin e regjistrimit.

3)      Aplikanti në çdo kohë brenda 15 ditësh, mund të kërkojë në sportel plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin, duke plotësuar formularin përkatës e duke dorëzuar dokumentet shoqëruese të nevojshme.

c)       Në rast refuzimi të regjistrimit.

  1. Nëse pas verifikimeve nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) konstaton se të dhënat që kërkohen të regjistrohen, janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme sipas dispozitave të ligjit, regjistrimi refuzohet dhe aplikanti  njoftohet në sportel, me shkrim për shkakun e refuzimit.
  2. Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) refuzon regjistrimin, në rastin kur aplikanti nuk ka plotësuar ose ndrequr elementet që pengojnë regjistrimin, brenda afatit 15- ditor.
  3. Nëpunësi i autorizuar refuzon regjistrimin edhe në rastin kur aplikimi për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin, nuk plotëson të gjitha kërkesat e përcaktuara në ligj.
    • Çështje të tjera të rëndësishme.​

 

Miratimi i heshtur

  1. Në rastin kur brenda afatit prej 1 (një) dite nga paraqitja e aplikimit për kryerjen e një regjistrimi, QKR nuk ka njoftuar pezullimin e regjistrimit ose refuzimin e tij, atëherë aplikimi për regjistrim presupozohet i pranuar.
  2. Në këtë rast, sistemi i informatizuar i QKR-së jep automatikisht autorizimin për regjistrim.

 

Regjistrimi në Zyrën e Tatim -Taksave dhe njoftimi i bashkive dhe autoriteteve të tjera:

  1. Pas miratiimit të regjistrimit të ri, QKR njofton në mënyrë elektronike njëkohësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim -Taksave dhe autoritetin përkatës fiskal bashkiak, për regjistrimin e një subjekti të ri bashkë me NIPT-in e tij për efekte fiskale si dhe transmeton të dhënat e regjistrimit  të aplikantëve te këto autoritete.
  2. Për çdo subjekt të ri, të regjistruar në Regjistrin Tregtar, QKR  njofton gjithashtu, bashkitë e komunave ku këto subjekte kanë selinë apo vendet e ushtrimit të aktivitetit. Njoftohen gjithashtu, për regjistrimin e ri autoritetet e Inspektoriatit të Punës, të Sigurimeve Shoqërore dhe të Sigurimeve Shëndetësore.
  3. QKR bën njoftimet e mësipërme në mënyrë elektronike, brenda ditës së punës në të cilën kryhet regjistrimi.
  4. NIPT-i është Numri Unik i Identifikimit për efekt të të gjitha këtyre regjistrimeve.

 

Pushim i përkohshëm i veprimtarisë ekonomike tregtare

Çdo subjekt, që kryen regjistrimin fillestar, mbart edhe detyrimin të regjistrojë çdo ndryshim në të dhënat e njoftuara dhe në dokumentet shoqëruese, që depozitohen në regjistër, sipas seksionit III.

Gjithashtu në rast të pushimit të përkohshëm të veprimtarisë tregtare çdo subjekt duhet te plotësoje dhe dorëzoj ne sportelet e QKR edhe formularin përkates për pushim të pëkohshëm të veprimtarisë.​

DOKUMENTET DHE TE DHËNAT E DETYRUESHME PËR REGJISTRIMIN FILLESTAR

Subjektet që detyrohen të regjistrohen në regjistrin tregtar janë:

  1. Personat fizikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike tregtare
  2. Shoqëritë e thjeshta sipas dispozitave të Kodit Civil
  3. Shoqëritë tregtare
  4. Degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huajal
  5. Shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit
  6. Shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit
  7. Çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim, në bazë të legjislacionit shqiptar

 

TË DHËNAT E DETYRUESHME DHE DOKUMENTACIONI SHOQËRUES TË NEVOJSHME PËR REGJISTRIM SIPAS FORMËS LIGJORE TË SUBJEKTIT.pdf

INSTRUKSIONE PËR REGJISTRIMIN TATIMOR

Si të rezervoni një emër?

Nëse doni të rezervoni një emër për biznesin tuaj, QKR ju jep këtë mundësi. Çdo individ ka të drejtë të rezervojë pranë QKR-së një apo më shumë emra, me qëllim regjistrimi, për llogari të tij apo të të tretëve, përkundrejt një tarife të specifikuar.

Rezervimi i emrit është i vlefshëm për një afat prej 30 ditësh kalendarike, duke nisur nga data e rezervimit. Afati i rezervimit të emrit nuk mund të zgjatet. Nëse pas përfundimit të periudhës 30-ditore, emri i rezervuar nuk është përdorur në aplikim për regjistrim të një biznesi, atëherë rezervimi i emrit fshihet. Rezervimi rishtazi nga i njëjti person i të njëjtit emër të rezervuar më parë, pas afatit 30- ditor është i mundur, por konsiderohet si rezervim i ri dhe kryhet si i tillë.

Një emër i rezervuar mund të transferohet lirisht tek palë të treta, brenda 30 ditëve, për një tarifë të caktuar, nëpërmjet dorëzimit të formularit përkatës në sportelet e shërbimit të QKR-së. Rezervimi i një emri mund të bëhet në sportelet e shërbimit të QKR-së ose mund të bëhet on-line, nëpërmjet faqes së internetit të QKR-së. Kur aplikimi për rezervim bëhet në sportel, tarifa për të paguhet në sportel. Ndërsa kur aplikimi bëhet on-line, aplikanti ka kohë 5 ditë ta paguajë tarifën në sportelet e shërbimit të QKR-së.

Nëse tarifa nuk paguhet brenda këtyre 5 ditëve, rezervimi i emrit fshihet. Pas dorëzimit të aplikimit, QKR lëshon një çertifikatë për rezervimin e emrit brenda një dite.

Rezervimi i emrit për 30 ditë, i jep mundësi krijuesve të një kompanie të përgatisin dokumentet themeltare me këtë emër dhe pengon të tretët, të rezervojnë emra të njëjtë ose të ngjashëm, apo të regjistrojnë subjekte me të njëjtin emër apo emra të ngjashëm.

Procedura njëditore dhe miratimi i emrit të rezervuar nga QKR, bëhet për të siguruar përputhshmëri me ligjin, i cili ndalon rezervimin e emrave të njëjtë ose të ngjashëm, të rezervuar tashmë ose të njëjtë, ose të ngjashëm me biznese të regjistruara; ose të njëjtë/ngjashëm me emra në trajtën e shquar apo akronimet përkatëse të: shteteve, qyteteve, krahinave gjeografike, organizatave ndërkombëtare, fetare apo institucioneve të pushtetit qendror a vendor, ose me emra që janë në kundërshtim me rendin dhe moralin publik apo me dispozitat e ligjit.

Eventet

<prill 2017>
HënMarMërEnjPreShtDie
272829303112
34
5
e mërkurë, prill 5, 2017
6789
10111213141516
17181920212223
24252627282930
1
e hënë, maj 1, 2017
234567

Se shpejti

Postimet me te fundit


Buletini Informativ