Skip to content Skip to left sidebar Skip to footer

News

Menaxhimi i Situatës pas Reshjeve në Bashkinë Kuçovë!

Për shkak të reshjeve të dendura dhe të vazhdueshme të ditëve të fundit, disa zona të Bashkisë Kuçovë janë përballur me situata të vështira përmbytjeje, duke krijuar problematika serioze për banorët dhe tokat bujqësore. Më të prekura nga kjo situatë kanë qenë fshatrat Salcë Kozare, Ferras, Frashër, Rreth Tapi dhe Tapi, ku rritja e nivelit të ujërave ka shkaktuar daljen e tyre nga shtrati dhe vështirësi në qarkullim, si dhe rrezik për pronat dhe aktivitetin bujqësor.

Në përgjigje të kësaj situate emergjente, institucionet vendore dhe qendrore janë angazhuar menjëherë për të monitoruar nga afër gjendjen dhe për të ndërmarrë masa konkrete në terren. Një rol të rëndësishëm ka pasur angazhimi i drejtpërdrejtë i Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Ministrit të Bujqësisë, të cilët kanë ndjekur situatën dhe kanë koordinuar veprimet për menaxhimin e emergjencës.

Falë bashkëpunimit ndërinstitucional, strukturat e emergjencave civile, forcat operacionale dhe shërbimet teknike kanë punuar pa ndërprerje për të minimizuar pasojat e përmbytjeve, për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të mbrojtur tokat bujqësore. Ndërkohë, situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim ndërhyrjen e menjëhershme në çdo rast nevoje dhe rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në zonat e prekura.

Hapsira të Gjelbërta!

Bashkia Kuçovë kryen çdo ditë punë të vazhdueshme për mirëmbajtjen e lulishteve të qytetit, duke u fokusuar në pastrimin e hapësirave të gjelbra, ujitjen dhe sistemimin e tyre. Këto ndërhyrje synojnë ruajtjen e gjelbërimit dhe mbajtjen e një pamjeje të rregullt e të këndshme për qytetarët.

Një Tjetër Investim!

Ka nisur zyrtarisht puna për përmirësimin e rrugës së fshatit Fier Mimar, një investim i rëndësishëm që synon rritjen e sigurisë, lehtësimin e lëvizjes dhe përmirësimin e aksesit për banorët e zonës. Ky projekt do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetesës dhe zhvillimin e komunitetit lokal.

Pastrimi i Kanalit Kullues!

Bordi i Kullimit ka vijuar pastrimin e kanalit kullues në lagjen 1 Maj dhe në fshatin Perondi u realizua me qëllim përmirësimin e kullimit të tokave bujqësore dhe parandalimin e përmbytjeve. Ky kanal shërben për kullimin e sipërfaqeve bujqësore të fermerëve të fshatrave Perondi, Tapi dhe Rreth Tapi, duke mbuluar një sipërfaqe totale prej rreth 200 hektarësh, dhe ka një rëndësi të veçantë për mbarëvajtjen e aktivitetit bujqësor në zonë.

Rehabilitimi i Banesave të Familjeve në Nevojë!

Programi i përmirësimit të kushteve të banimit për shtresat në nevojë ka mbështetur 39 familje, të cilat kanë përfituar nga ndërhyrje të pjesshme në banesat e tyre gjatë vitit 2025. Ky program synon të rrisë sigurinë dhe cilësinë e jetesës, duke përmirësuar kushtet bazë të banimit për familjet që kanë më shumë nevojë.

Ky program realizohet falë bashkëfinancimit të Bashkisë Kuçovë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Ky program do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026 për familjet e tjera që ndodhen në kushte të vështira banimi.

Buxheti 2026!

Miratimi i buxhetit për vitin 2026 shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarët. Ky buxhet parashikon investime konkrete në infrastrukturë dhe shërbime publike, si dhe ndërhyrje të nevojshme në lagjet Tafil Skëndo, 11 Janari, Postbllok, Gegë, Salcë Kozare, Perondi dhe zona të tjera.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar arsimit dhe kopshteve, me synimin për të përmirësuar kushtet dhe mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë, si edhe forcimit të ndihmës për shtresat në nevojë. Buxheti 2026 reflekton angazhimin për zhvillim të balancuar, përfshirës dhe në shërbim të komunitetit.

Gëzuar Festat e 28 & 29 Nëntorit!

Bashkia Kuçovë, në bashkëpunim me Zyrën Arsimore, organizoi aktivitete festive me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit, ditëve të rëndësishme të Pavarësisë dhe Çlirimit të vendit.Përfaqësues të Bashkisë, Zyrës Arsimore, mësues, nxënës dhe qytetarë morën pjesë në një atmosferë respekti, uniteti dhe krenarie kombëtare. Përmes këtyre aktiviteteve u synua të nderohej kontributi i të gjithë atyre që luftuan për pavarësinë dhe lirinë e vendit. Në këtë ditë të shënuar u zhvilluan aktivitete kulturore, valle, këngë dhe recitime patriotike,duke përcjellë vlerat e historisë kombëtare tek brezi i ri . Aktivitetet u zhvilluan në një atmosferë festive dhe respekti ndaj historisë dhe figurave që kontribuan në lirinë e Shqipërisë.

Bashkia dhe Zyra Arsimore shprehin falënderimet e sinqerta për fëmijët dhe mësueset që kontribuan me përkushtim në realizimin e kësaj feste.

Takim Pune me Ambasadorin e Polonisë!

Sot, u zhvillua një takim pune me Ambasadorin e Polonisë Z. Wojciech UNOLT, ku diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, si ekonomi, arsimi dhe kultura. Gjatë vizitës, u shënua rëndësia e bashkëpunimit të përbashkët për përfitime të përbashkëta. Gjithashtu, Kryetari i Bashkisë Z. Kreshnik HAJDARI së bashku me Ambasadorin vizituan monumentin kushtuar Prof. Stanislav Zuber, figurë e njohur kushtuar Gjeologjisë në Shqipëri, duke nderuar kështu trashëgiminë intelektuale dhe lidhjet kulturore mes dy vendeve.

Takim me Komitetin e Emergjencave Civile!

Në Bashkinë Kuçovë u zhvillua takimi i Komitetit të Emergjencave Civile në kuadër të përgatitjeve për sezonin e dimrit. Gjatë takimit u analizua gjendja aktuale e infrastrukturës, furnizimit me energji dhe ujë, si dhe masat parandaluese për përballimin e situatave të mundshme emergjente si reshjet e dendura, ngricat apo bllokimet e rrugëve. U theksua bashkëpunimi ndërmjet strukturave vendore, shërbimeve zjarrfikëse, policisë dhe operatorëve të tjerë për garantimin e sigurisë dhe mirëfunksionimit të jetës së qytetarëve gjatë muajve të dimrit.